Miliona shikime nga filmimi i fshehtë i grave në jetën e natës: BBC zbardh rolin e shqiptarit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.02.2026, 15:50

Një investigim i thelluar i BBC-së ka zbuluar një fenomen shqetësues që po përhapet në disa nga kryeqytetet kryesore të jetës së natës në botë: burra që filmojnë fshehurazi gra në hapësira publike dhe më pas i shndërrojnë pamjet në burim fitimi përmes platformave sociale si YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram.

Videot paraqiten si “walking tours” ose “nightlife content”, por në thelb fokusohen pothuajse tërësisht te gratë e veshura me funde ose fustane. Pamjet realizohen nga kënde shumë të ulëta ose nga pas, duke ekspozuar pa pëlqim pjesë intime të trupit, në kufijtë e voyeurizmit dhe ngacmimit seksual.

Sipas BBC-së, janë identifikuar mbi 65 kanale të tilla online, të cilat kanë grumbulluar më shumë se 3 miliardë shikime gjatë tre viteve të fundit. Xhirimet janë realizuar kryesisht në qytete si Londra, Oslo, Miami dhe Bangkok, ndërsa Manchesteri rezulton një nga qendrat kryesore të kësaj veprimtarie.

Rasti i Florjan Rekës

Në qendër të investigimit përmendet edhe Florjan Reka, 35 vjeç, me origjinë shqiptare dhe rezident në Suedi. BBC raporton se ai drejtonte një nga kanalet më të mëdha të këtij lloji në YouTube, me rreth 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë, si dhe një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës. Aktiviteti i kanalit ishte regjistruar në Suedi si biznes me përshkrimin zyrtar “influencer, marketing dhe reklamë”.

Gjatë një operacioni të fshehtë në Manchester, gjatë festimeve të Halloween-it, gazetarët e BBC-së filmuan Rekën dhe vëllanë e tij, Roland Rekën, duke regjistruar gra nga kënde të ulëta, me kamera të mbajtura në nivelin e belit, ndërsa shtirreshin sikur përdornin telefonat celularë.

Pas ndërhyrjes së BBC-së, YouTube mbylli dy llogari të lidhura me Florjan Rekën. Megjithatë, përmbajtje të ngjashme vazhdojnë të qarkullojnë në platforma të tjera sociale. Reka refuzoi të komentonte dhe shmangu kontaktet me ekipin investigativ, edhe kur gazetarët udhëtuan në Suedi.

Një prej grave të filmuara, e identifikuar me emrin e ndryshuar “Grace”, zbuloi vetëm përmes BBC-së se pamjet e saj, të filmuara nga poshtë fustanit, kishin arritur mbi 3 milionë shikime. “Që nga ajo ditë ndihem paranojake sa herë dal nga shtëpia,” tha ajo.

Investigimi dokumentoi gjithashtu qindra komente mizogjene dhe degraduese, të cilat, sipas ekspertëve, përforcojnë dhunën digjitale dhe ndikojnë rëndë në shëndetin mendor të viktimave.

Pas publikimit të investigimit, YouTube çaktivizoi dy kanale, TikTok hoqi katër llogari, ndërsa disa profile në Facebook dhe Instagram vazhdojnë të jenë aktive. Sipas ekspertëve të ekonomisë digjitale, kjo industri e filmimit të fshehtë gjeneron miliona paund në vit.

Për gratë e përfshira, megjithatë, dëmi është shumë më i thellë se përfitimi financiar: frikë e vazhdueshme, turp, pasiguri dhe humbje e ndjenjës së privatësisë në hapësirën publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit