Pas gati një viti bllokimi total, qeveria shqiptare ka vendosur sot, më 4 shkurt 2026, të rihapë aplikacionin TikTok për përdoruesit në Shqipëri. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke i dhënë fund masës që u ndërmor në mars 2025 pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani. Në atë kohë, qeveria e kryeministrit Edi Rama e justifikoi mbylljen e platformës si një hap të fortë për mbrojtjen e fëmijëve dhe për frenimin e dhunës dhe bullizmit online, duke e paraqitur TikTok-un si një nga faktorët nxitës të këtyre fenomeneve.
Megjithatë, gjatë 12 muajve të bllokimit, realiteti tregoi se ndalimi formal nuk e ndërpreu përdorimin e platformës nga të rinjtë. Një pjesë e madhe e tyre gjetën mënyra alternative për ta aksesuar TikTok-un përmes VPN-ve dhe aplikacioneve të tjera anashkaluese, duke e bërë masën më tepër simbolike sesa efektive. Ndërkohë, rastet e bullizmit mes adoleshentëve dhe konfliktet e dhunshme nuk u zhdukën, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi lidhjen e drejtpërdrejtë mes mbylljes së një platforme dhe zgjidhjes së problemeve të thella sociale, arsimore dhe familjare.
Rihapja e TikTok-ut sot ngre dilema të reja! A shoqërohet ky vendim me masa konkrete sigurie, edukimi digjital dhe mbrojtjeje për të miturit, apo mbyllja njëvjeçare ishte thjesht një reagim politik për të krijuar perceptimin e veprimit pas një ngjarjeje tronditëse? Vendimi i vitit 2025 më shumë u ngjante një “show”-u institucional sesa një strategjie afatgjatë, ndërsa sot mbetet e paqartë nëse qeveria ka nxjerrë realisht mësime nga ajo periudhë, apo thjesht po rikthen një platformë që kurrë nuk u largua plotësisht nga jeta e të rinjve shqiptarë.

