Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast shqetësues mashtrimi, me të cilin është përballur gjatë blerjes së një pajisjeje shtëpiake përmes rrjeteve sociale.
Sipas denoncimit, qytetarja ka hasur në Marketplace një njoftim për shitjen e një kondicioneri me vlerë 350 mijë lekë të rinj, të publikuar nga faqja “Farruko Okazion Kondicioner” në Durrës. Pas komunikimit me shitësin dhe dakordësisë për çmimin, zonja ka kryer blerjen dhe ka marrë pajisjen.
Problemet kanë nisur menjëherë pas montimit, pasi kondicioneri ka shfaqur defekte serioze dhe nuk ka funksionuar. Për të sqaruar situatën, qytetarja ka kontaktuar katër teknikë të ndryshëm, të cilët i kanë konfirmuar të njëjtin problem teknik, duke përjashtuar mundësinë që defekti të lidhej me montimin.
Megjithatë, pavarësisht këtyre konstatimeve, pronari i faqes, Farruko nga Durrësi, ka mohuar çdo përgjegjësi, duke pretenduar se problemi lidhet me mënyrën e instalimit. Pas këtij komunikimi, ai ka refuzuar të përgjigjet në telefonatat e qytetares, duke ndërprerë çdo kontakt.
Në pamundësi për të gjetur zgjidhje, qytetarja i bën apel përmes redaksisë sonë shitësit që të mbajë përgjegjësi për produktin e shitur dhe ose ta rregullojë kondicionerin, ose t’i kthejë paratë mbrapsht.