Ernest Muçi ka shkëlqyer sërish me fanellën e Trabzonsporit, duke realizuar një tjetër gol spektakolar në Kupën e Turqisë. Mesfushori ofensiv gjeti rrjetën në minutën e 69-të të përballjes ndaj Fetihyespor, e vlefshme për raundin e tretë të kompeticionit, me një goditje të fuqishme nga distanca që nuk i la asnjë shans portierit kundërshtar.
Paraqitja e Muçit nuk u ndal me kaq, pasi vetëm dhjetë minuta më vonë ai u bë protagonist edhe në golin e tretë të Trabzonsporit, duke dhënë asist dhe duke vulosur përfundimisht fatin e ndeshjes.
Në këtë sezon, Muçi është shndërruar në një nga lojtarët kyç të ekipit turk, duke mbajtur peshën kryesore të repartit ofensiv. Në Kupën e Turqisë ai ka realizuar tre gola dhe dy asistime në katër ndeshje, ndërsa në kampionat numëron tetë gola, statistika që e rendisin ndër lojtarët më të rrezikshëm të sezonit. Aktualisht, Muçi aktivizohet te Trabzonspori në formë huazimi nga Beşiktaşi.
Megjithatë, pavarësisht formës së tij mbresëlënëse në Turqi, Ernest Muçi vazhdon të jetë një mungesë e ndjeshme në Kombëtaren shqiptare. Trajneri Silvinjo zgjodhi të mos e grumbullojë për ndeshjet e fundit të vitit, ndërsa gjatë vitit 2025 ai është aktivizuar vetëm për pak minuta në sfidën ndaj Letonisë, si zëvendësues.