Camila Rodriguez Cardoso, 21-vjeçare nga Brazili dhe dikur një fytyrë e njohur e modelingut, ka lënë karrierën e saj për t’u përkushtuar jetës fetare dhe iu bashkua Kishës Ortodokse në Brazil, duke marrë emrin Motër Eva. Një video e saj në platformën X (ish-Twitter) ka arritur gati pesë milionë shikime, ku shfaqet me veshjen fetare dhe buzëqesh ndërsa tregon jetën në një komunitet rural.
Vendimi i saj ka shkaktuar polemika, pasi komuniteti kishtar i Motër Evës lejon grimin dhe lyerjen e thonjve, gjë që është jo e zakonshme për murgeshat tradicionale, duke nxitur dyshime dhe kritika nga disa përdorues që e quajnë zgjedhjen e saj si pjesë e një “sekti”.
Megjithatë, shumë e mbrojtën Camila-n, duke e konsideruar largimin nga jeta publike dhe përkushtimin ndaj fesë si një akt të guximshëm dhe të fuqishëm. Zgjedhja e saj ka ndezur diskutime mbi traditat fetare dhe lirinë individuale për të zgjedhur një rrugë shpirtërore, duke e bërë emrin Motër Eva të njohur globalisht.