Shqiptarët grabisin 7 prona në Angli, mes tyre edhe shtëpinë e ish-yllit të Premier Ligës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.02.2026, 08:22

Dy shtetas shqiptarë, Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, janë dënuar secili me nga 56 muaj burg nga Gjykata e Kurorës në Chester, pasi u shpallën fajtorë për shtatë akuza të komplotit për vjedhje me thyerje. Ata vepruan së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar dhe kryen grabitje gjatë tre netëve radhazi në qershor të vitit të kaluar. Mes pronave të shënjestruara ishte edhe shtëpia e ish-futbollistit të Aston Villa dhe Birmingham City, Scott Hogan, aktualisht sulmues i Milton Keynes Dons.

Gjyqtari Steven Everett, Honorary Recorder of Chester, e cilësoi aktivitetin e tyre si “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, duke theksuar se të pandehurit kishin rezervuar një dhomë Airbnb në Warrington, të cilën e përdornin si bazë operative, ndërsa udhëtonin nga zona të tjera për të kryer grabitjet. Ata përdorën një automjet Seat Leon të sjellë nga Sheffield, të pajisur me tre targa të falsifikuara, si dhe maska, mjete pune dhe radio komunikimi. Grabitjet u kryen kryesisht në Cheshire, duke përfshirë zona si Blackpool, Grappenhall, Knutsford, Northwich dhe Warrington. Në një nga rastet, ata arritën të vidhnin një orë Breitling dhe një Rolex me vlerë totale rreth 9 mijë paund, ndërsa në disa grabitje të tjera u larguan pa marrë asgjë pasi u diktuan.

Shtëpia e Scott Hogan në Northwich u sulmua më 7 qershor rreth orës 23:30, ndërsa futbollisti ndodhej brenda me bashkëshorten e tij, atëkohë shtatzënë, dhe vajzën e vogël. Hogan u zgjua nga drita e elektrikëve që ndriçonte në dritaren e dhomës së gjumit dhe pa tre persona në oborr, duke u përpjekur t’i ndiqte, por ata u larguan. Në deklaratën e tij personale, Hogan tha se ngjarja i kishte shkaktuar shumë net pa gjumë, stres dhe ankth familjes së tij. Të pandehurit u arrestuan më shumë se një javë më vonë, pasi policia gjeti makinën Seat Leon në një kompleks banimi në Warrington, me telefona celularë, veshje, mjete pune dhe targat e rreme brenda. Laska, i cili ka një aplikim në pritje pranë Home Office dhe është i martuar me një shtetase britanike, si dhe Puka, i cili gëzon leje qëndrimi të përhershme në Britani, e pranuan fajësinë në një seancë të mëparshme dëgjimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit