Prindërit vrasin dy djemtë me autizëm dhe veten, dyshohet se u rraskapitën nga sfidat e rënda

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.02.2026, 21:58

Një ngjarje tronditëse ka mbuluar me zi Perth-in në Australinë Perëndimore, ku katër anëtarët e një familjeje janë gjetur të pajetë brenda shtëpisë së tyre në lagjen elitare Mosman Park. Jarrod Clune, 50 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Maiwenna Goasdoue, 49 vjeçe, dyshohet se kanë vrarë dy djemtë e tyre adoleshentë, Leonin 16-vjeçar dhe Otisin 14-vjeçar, përpara se t’i jepnin fund jetës së tyre.

Sipas detajeve të raportuara nga mediat e huaja, dy djemtë vuanin nga autizëm i rëndë dhe ishin joverbalë, çka i bënte ata tërësisht të varur nga kujdesi i prindërve. Alarmi u dha nga një punonjëse kujdesi, e cila pasi nuk mundi të kontaktonte me familjen, gjeti në hyrje të banesës një shënim paralajmërues që udhëzonte njoftimin e policisë dhe ndalonte hyrjen brenda.

Hetuesit gjetën trupat e pajetë në pjesë të ndryshme të shtëpisë, ndërsa vdekja kishte prekur edhe kafshët shtëpiake, dy qentë dhe macen e familjes. Policia konfirmoi se vdekjet nuk ishin të dhunshme dhe nuk ishin përdorur armë zjarri, ndërsa një letër e dytë e gjetur në vendngjarje, ku detajoheshin planet financiare të familjes, bëri që autoritetet të konfirmonin pistën e vrasjes së dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja.

Dëshmitë e personave të afërt dhe mësuesve vizatojnë portretin e dy prindërve tejet të përkushtuar, por të dërrmuar fizikisht dhe emocionalisht. Një mësuese e djemve rrëfeu se çifti vuante nga mungesa kronike e gjumit pasi fëmijët nuk flinin natën dhe se kishin kërkuar ndihmë profesionale kudo, madje edhe jashtë shtetit.

Dyshimet kryesore mbi shkaqet që çuan në këtë vendim ekstrem lidhen me vështirësitë e fundit financiare dhe shëndetësore. Raportohet se familja mund të kishte humbur një pjesë të financimit shtetëror për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ndërsa djali i vogël, Otisi, ishte përjashtuar nga shkolla dy vite më parë pas një incidenti. Policia e Australisë Perëndimore e cilësoi ngjarjen si një tragjedi shkatërruese që ka lënë pa fjalë të gjithë komunitetin, duke theksuar se familja nuk kishte histori të mëparshme të dhunës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit