Marrëdhënia mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor ka hyrë në një fazë të nxehtë konflikti. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka shpërndarë një deklaratë të fortë, duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e pagave. Gjyqtarët e kanë cilësuar fjalimin e kreut të qeverisë si një “fushatë spekulimesh” dhe “tymnajë populiste” që synon linçimin e tyre publik dhe presionin e drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese.
Shoqata e Gjyqtarëve shprehu shqetësimin se retorika e kryeministrit po përdoret për të ndikuar në një proces gjyqësor që ndodhet në fazën e tij finale. Sipas tyre, qeveria po përpiqet të shndërrojë sallën e gjyqit në një "gjyq popullor", duke intimiduar gjyqtarët kushtetues në momentin e vendimmarrjes.
“Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të ushtrojmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, t’i intimidojmë gjyqtarët apo t’u prishim atyre qetësinë në fazën e vendimmarrjes,” thuhet në deklaratë, duke nënvizuar se tashmë i takon vetëm Gjykatës të flasë me vendim.
Gjyqtarët kanë radhitur gjashtë pika kyçe (të cilat i quajnë "keqbesime") ku sipas tyre, qeveria dhe Kuvendi kanë cenuar qëllimisht statusin financiar të magjistratëve që nga nisja e Reformës në Drejtësi:
Në reagimin e tyre, gjyqtarët sqarojnë se termi "rritje page" është një gënjeshtër spekulative e përdorur nga ekzekutivi për të nxitur zemërimin e publikut. Sipas tyre, beteja ligjore bëhet për parimin kushtetues që sanksionon se paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, një garanci kjo për pavarësinë e tyre nga pushtetet e tjera.
Shoqata e mbyll deklaratën duke paralajmëruar se paralajmërimet e Ramës për "zgjidhje alternative" edhe pas vendimit të Gjykatës, janë "keqbesimi i shtatë" që po përgatitet, duke konfirmuar vendosmërinë e tyre për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të magjistratëve nga asnjë pushtet politik.