Një 29-vjeçar i dyshuar për një seri grabitjesh është paraqitur sot para Gjykatës së Shkallës së Parë, pasi akuzohet për mbi 30 vepra penale të kryera në zona të ndryshme të Anglisë.
Sipas Kent Online, 14 nga këto vepra dyshohet se janë kryer në qarkun Kent, konkretisht në zonat Sevenoaks, Tonbridge dhe Ashford.
I dyshuari, Gledis Uka, pa adresë të përhershme banimi, është akuzuar të shtunën, më 31 janar, për 31 raste vjedhjeje me thyerje, si dhe për dy akuza të tjera për tentativë vjedhjeje me thyerje.
Uka u paraqit sot në Gjykatën e Magjistraturës në Sevenoaks, ku gjykata vendosi ta lërë në paraburgim. Sipas raportimeve, në shumë prej rasteve pronat janë dëmtuar duke u thyer dritare ose dyer xhami nga një person i maskuar, i cili më pas ka vjedhur bizhuteri dhe shuma parash.
Ai u arrestua të premten në Essex nga oficerët e Policisë së Kentit dhe pritet të dalë sërish para drejtësisë të hënën, më 2 mars, në Gjykatën e Kurorës në Maidstone.
Ndërkohë, hetimet tregojnë se vepra të tjera të dyshuara janë kryer edhe në qarqe të tjera të Anglisë, përfshirë Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Suffolk dhe Surrey.