Një shqetësim i madh për prindërit në Prishtinë ka dalë në dritë pas denoncimit të një nëne, e cila tregon se djali i saj 2-vjeçar ka pësuar irritim të rëndë të lëkurës nga pampersat që ka përdorur. Sipas saj, kur ka marrë foshnjën për ta ndërruar, ka vënë re puçrra të kuqe në zonën intime, duke u alarmuar menjëherë.
Kur nëna ka kontrolluar paketimin, ka konstatuar se pampersat ishin të mykura,të blera në dyqanin BeniDona, në lagjen Ulpiana, Rruga Zija Shemsiu. “Nuk më ka shkuar mendja se produkti mund të jetë i dëmtuar. Vetëm kur pashë puçrrat tek djali, kuptova se problemi ishte serioz,” shprehet ajo.
Rasti tregon një problem të qartë me kontrollin e cilësisë dhe ruajtjen e produkteve për fëmijë, të cilat janë të ndjeshme dhe kërkojnë standarde të larta higjienike. Produktet e mykura nuk janë vetëm të papranueshme, por mund të shkaktojnë infeksione serioze dhe reaksione alergjike te fëmijët e vegjël.
Shitësi dhe distributori duhet të përgjigjen për këtë ngjarje, ndërsa autoritetet e inspektimit të ushqimit dhe produkteve për fëmijë duhet të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Ky është një sinjal alarmi për të gjithë prindërit: kontrolloni produktet para përdorimit dhe mos nënvlerësoni asnjëherë kushtet e ruajtjes dhe cilësinë e tyre.