Fadromat e Bashkim Ulajt sërish në Rrjoll, qytetarët përplasen me policinë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.02.2026, 15:22

Nuk ka më mister, nuk ka më dyshim, Bashkim Ulaj ka vendosur të shndërrojë Velipojën në pronë personale. Me fadroma dhe makineri në dorë, ai ka nisur ndërtimin e një resorti luksoz mbi tokat që i përkasin banorëve, ndërkohë që çështja e pronësisë është ende në gjykatë dhe një padi është dorëzuar edhe në SPAK.

Banorët kanë reaguar duke bllokuar rrugën Shëngjin–Velipojë dhe janë përplasur me policinë, por në fakt, ata po mbrojnë atë që iu takon. Ndërsa Ulaj luan lojën e “investitorit të madh” dhe përpiqet të shesë fadromat si zhvillim turistik, komuniteti thjesht kërkon të mos shndërrohet në spektakël të lakmisë dhe grabitjes.

Ky projekt nuk është vetëm një resort; është një deklaratë arrogante: fitimi personal mbi ligjin, makineria mbi qytetarinë, luks mbi dinjitet. Dokumentacionet e dyshimta, fillimi i punimeve pa asnjë vendim gjyqësor, dhe sfida e hapur ndaj institucioneve tregojnë një strategji të qartë, “toka juaj, problemi juaj; resorti im, ligji im.”

Velipoja nuk është më vetëm një destinacion turistik, por një skenë ku Bashkim Ulaj po provon fuqinë e pasurisë mbi drejtësinë. Dhe ndërkohë që banorët protestojnë dhe institucioni përpiqet të ruajë ligjin, investitori i luksozëve të pafund i tregon të gjithë qytetarëve se në Shqipëri, prona private mund të grabitet, thjesht duke futur fadroma.

Në fund, pyetja është e thjeshtë: a po investon Ulaj, apo po grabit hapur? Për Velipojën dhe banorët e saj, kjo është një betejë për të drejtën e tyre dhe jo për luksin e pakufizuar të një biznesmeni që mendon se mund të blejë gjithçka.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit