Trupa e Gjykatës Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim as këtë të martë për ankimin e kryeministrit Edi Rama mbi çështjen e Belinda Ballukut, duke shtyrë sërish shqyrtimin për një seancë tjetër. Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja shtyn vendimin pas seancës publike të 22 janarit, duke krijuar një situatë që po mban peng procedurat për arrestimin e saj.
Belinda Balluku akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe për shkelje në procedurat e lidhura me dosjen e Unazës së Madhe. Më 31 tetor, SPAK e shpalli zyrtarisht të pandehur dhe i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestim, duke argumentuar se lënia e saj e lirë rrezikon prishjen e provave.
Edhe Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin herën e fundit shtyu pa afat mbledhjen e parashikuar për shqyrtimin e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke shtuar se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila mesa duket fjalën e Ramës e kanë "urdhër nga perëndia".
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të Ballukut dhe ka sulmuar gjyqtarët dhe prokurorët, duke i dërguar edhe sinjale Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk ka dhënë një vendim. Kjo ka çuar në një situatë ku arrestimi i Ballukut mbetet i bllokuar.