Spanja do të ndalojë përdorimin e platformave të mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe do të detyrojë platformat të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës, njoftoi sot kryeministri Pedro Sanchez në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.
Ai kritikoi ashpër "krimin dhe sjelljen e keqe" në platformat e mediave sociale , të cilat ai tha se drejtoheshin nga kompani që ishin "më të pasura dhe më të fuqishme se shumë kombe, përfshirë edhe Spanjën". Duke kritikuar "perëndimin e egër dixhital", ai tha:
"Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire në të cilën nuk ishin menduar kurrë të lundronin vetëm. Një hapësirë varësie, abuzimi, pornografie, manipulimi, dhune. Ne nuk do ta pranojmë më këtë. Ne do t'i mbrojmë ata . Mediat sociale janë bërë një shtet i dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”.
Ai njoftoi gjithashtu se qeveria spanjolle do të paraqesë javën e ardhshme një projektligj të ri, i cili synon të mbajë përgjegjës drejtuesit e mediave sociale për përmbajtje të paligjshme dhe urrejtëse.
Ky njoftim vjen pas masës së parë në botë të Australisë, e cila në dhjetor ndaloi platformat sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Rregullatori australian i internetit njoftoi muajin e kaluar se kompanitë e mediave sociale kanë hequr rreth 4.7 milionë llogari të mbajtura nga persona nën 16 vjeç për t’u përmbajtur ligjit, i cili hyri në fuqi më 10 dhjetor. Megjithatë, raportimet tregojnë se fëmijët po gjejnë mënyra për të anashkaluar kufizimet, duke përdorur teknika të tilla si “rrudhja e fytyrës” për të mashtuar sistemet e verifikimit.
Edhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën dhe Francën. Muajin e kaluar, ligjvënësit francezë miratuan një projektligj që ndalon mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se “truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje” dhe se ëndrrat e tyre nuk duhet të diktohen nga algoritmet. Projektligji tani do të diskutohet nga Senati në javët e ardhshme.