Teksa këtë të martë po zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i artë”, i penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj ka dhënë në gjykatë dëshminë e tij lidhur me vrasjen e Dorian Shkozës, duke zbardhur marrëdhënien me Nuredin Dumanin dhe përgatitjet për atentatin.
Hoxhaj deklaroi se e kishte njohur Nuredin Dumanin në vitin 2020, gjatë një feste ditëlindjeje të Festim Qolit. Sipas tij, pas këtij takimi ata shkëmbyen numrat e telefonit dhe disa muaj më vonë rifilluan kontaktet, duke komunikuar edhe përmes telefonave të kriptuar. Në këto biseda, Duman i ka folur për disa vrasje që kishte marrë përsipër, porosi që, sipas Hoxhajt, vinin nga një person i njohur si “Krymi”.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj tregoi se Duman i propozoi vrasjen e Dorian Shkozës në Durrës, kundrejt një pagese fillestare prej 70 mijë eurosh. Për realizimin e atentatit u organizua një grup ku, përveç Hoxhajt dhe Dumanit, ishte edhe një shofer, i identifikuar si Elio Bitri nga Elbasani. Duman, sipas tij, kishte siguruar mjetet dhe armët.
Ditën e ngjarjes, Hoxhaj u nis drejt Durrësit dhe u takua në banesën e Nuredin Dumanit. Nga aty u larguan me një makinë të zezë, ku Elio Bitri ishte në timon, Hoxhaj u ul pas shoferit dhe Duman ishte gjithashtu i pranishëm. Hoxhaj deklaroi se kishte me vete dy armë zjarri, ndërsa Bitri një armë tjetër.
Pasi kryen disa lëvizje në zonë, ata konstatuan praninë e objektivit. Sipas dëshmisë, në trotuar ndodheshin tre persona. Me konfirmimin e shoferit për identitetin e shënjestrës, Hoxhaj qëlloi nga brenda automjetit. Një nga armët iu bllokua, ndaj përdori tjetrën. Një person mbeti i vrarë në vend, ndërsa Dorian Shkoza u godit disa herë dhe humbi jetën pak më tutje. Edhe Elio Bitri, sipas Hoxhajt, ka qëlluar me armë gjatë atentatit.
Pas ngjarjes, Hoxhaj zbriti në zonën e Plepave, ku kishte lënë një automjet tjetër, ndërsa makina e përdorur në atentat u largua dhe më pas u dogj në zonën e Bishtit të Zhurit. Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani e kishte ndjekur nga pas dhe kishte parë të gjithë ngjarjen, duke e vlerësuar ekzekutimin si të realizuar “shumë mirë”.
Sa i përket pagesës, Hoxhaj tha se shuma prej 70 mijë eurosh u nda mes tij dhe Elio Bitrit, ku ai përfitoi 35 mijë euro. Ai shtoi se, pas vrasjes, ka vijuar të jetojë normalisht në Tiranë dhe nuk është fshehur, ndërsa paratë, sipas tij, i merrte përmes Nuredin Dumanit, i cili i siguronte nga “Krymi”.