Edhe Fieri, si shumë qytete të tjera në vend, vuan nga infrastruktura e amortizuar dhe rrugët e mbushura me gropa, që dëmtojnë jo vetëm automjetet, por edhe këmbësorët.
Për të denoncuar këtë problem, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë, duke treguar se të gjitha rrugët e qendrës së Fierit janë kthyer në gropa dhe puse uji, pasi asfalti është i dëmtuar dhe i vjetër.
Ai shprehet se banorët janë të detyruar të kapërcejnë këto gropa për të kaluar rrugën, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Ndërkohë, drejtuesit e bashkisë dhe familjarët e tyre lëvizin me makina elektrike.
Sipas tij, bashkia me në krye Armando Subashin, para se të merret me blerjen e makinave elektrike, që thuhet se do të ulin shpenzimet për karburant dhe do të jenë në shërbim të policisë bashkiake dhe ndërmarrjeve të bashkisë, duhet të përqendrohet tek nevojat reale të qytetit dhe të fierakëve.
Ai u bën thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme pasi nëse qendra e qytetit të Fierit është në këtë gjendje, i bie që banorët e fshatrave janë të lënë në harresë dhe plotësisht të izoluar për shkak të mungesës së infrastrukës.