Policia ka proceduar penalisht një detektive private dhe një person tjetër, pasi dyshohet se kanë tentuar të kontrollojnë dhe të heqin pajisje përgjimi në banesën e familjes së Erjon Llapushit, në Pogradec. Sipas të dhënave, detektivja private ka shkuar në banesë për të verifikuar nëse ishin vendosur përgjues nga organet e hetimit, me qëllim identifikimin dhe largimin e tyre.
Personi tjetër i proceduar dyshohet se ka qenë ai që ka lidhur detektiven private me familjen Llapushi, duke i siguruar kontaktin dhe mundësinë për të hyrë në banesë. Materialet procedurale janë referuar në prokurori, ndërsa detektivja akuzohet për veprën penale të “pengimit të zbulimit të së vërtetës”. Hetimet për rrethanat e ngjarjes vijojnë.
Erjon Llapushi është një nga personat më të kërkuar nga autoritetet dhe akuzohet për vrasjen e Gazment Kurmakut, ngjarje e ndodhur më 2 tetor 2021 në një lokal në Elbasan. Më 17 korrik 2024, Prokuroria e Elbasanit kërkoi 20 vite burg për Llapushin për veprën penale “vrasje me dashje”, ndërsa më herët ai është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje, plagosje, tentativë vrasjeje, shtrëngim për dhënie pasurie dhe transportim të emigrantëve të paligjshëm.