Në Vlorë, qytetin që mbytet sa herë bie shi dhe që reklamohet si “perlë turistike”, realiteti godet fort ata që mbajnë qytetin në këmbë: punonjësit e sektorit të pastrimit. Të lënë në harresë, pa kushte minimale pune dhe pa pagesat që u takojnë, ata kanë dalë në protestë dhe kanë pezulluar punën.
Shkak për revoltën është mosdhënia e antidotës, një ndihmë mujore qesharake, por jetike për këta punonjës, e cila jo vetëm që është ulur nga 7 mijë lekë të reja në 4 mijë lekë në muaj, por as kjo shumë nuk po u jepet. Një tallje e hapur me njerëzit që përballen çdo ditë me rrezik, mbetje dhe kushte çnjerëzore.
Në vend që të japë zgjidhje, drejtoresha Anjeza zgjedh arrogancën: nuk i pret punonjësit, por u mbyll derën në fytyrë. Një veprim skandaloz, simbol i një administrate që e sheh punëtorin si barrë dhe jo si shtyllë të shërbimit publik. Kjo nuk është thjesht paaftësi, por përçmim i hapur.
Ndërkohë, në krye të këtijj zinxhiri papërgjegjshmërie qëndron kryebashkiakja Brunilda Mersini, e cila duket se ka kohë për kamera dhe slogane, por jo për njerëzit që mbajnë Vlorën “të pastër” në letër. Një qytet që përmbytet sa herë bie shi, që mbushet me plehra dhe ka shërbime në kolaps, ka një emër përgjegjës: Bruna Mersini dhe Bashkia e Vlorës.
Punonjësit e turnit të parë kanë ndalur punën këtë të martë dhe kanë paralajmëruar se do t’u bashkohen edhe turnet e tjera nëse situata nuk merr zgjidhje. Mesazhi është i qartë: pa respekt dhe pa pagesa, nuk ka punë.
Kjo protestë është një shuplakë për një administratë që ka humbur çdo ndjeshmëri sociale. Ndërsa drejtuesit rrinë në zyra me ajër të kondicionuar, punëtorët përballen me mbetje, rrezik dhe varfëri. Dhe kur guxojnë të flasin, u mbyllet dera.
Vlora sot nuk ka problem vetëm plehrat. Ka problem drejtimin. Dhe sa kohë Brunilda Mersini dhe vartësit e saj zgjedhin heshtjen, përbuzjen dhe justifikimet, kjo protestë është vetëm fillimi.