Dosja Epstein dhe transporti i trurit të njerëzve të vdekur nga Maqedonia në SHBA

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.02.2026, 10:09

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në kuadër të hetimit për Jeffrey Epstein, përmbajnë akuza tronditëse për përfshirjen e mundshme të një shtetasi nga Maqedonia e Veriut, profesor në Universitetin e Kolumbias, në prokurimin dhe eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia për qëllime eksperimentale shkencore në Shtetet e Bashkuara.

Sipas dokumenteve, bëhet fjalë për rreth 1 000 tru njerëzor, disa prej të cilëve nga persona që kanë kryer vetëvrasje. Hetimi nuk jep të dhëna nëse familjarët e të ndjerëve kanë dhënë pëlqimin për përdorimin e organeve, as nëse institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut kanë qenë në dijeni apo kanë miratuar një eksport të tillë.

Në pjesën që lidhet me Maqedoninë, thuhet se “vendi i vogël ballkanik siguron tru njerëzor falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias, i cili vjen nga aty dhe ka ndihmuar në organizimin e të gjithë procesit”. Sipas përshkrimeve, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me avion nën eskortë speciale dhe më pas janë nisur me anije drejt Shteteve të Bashkuara, ku janë ruajtur në kuti speciale, të shënuara me kode QR dhe të klasifikuara sipas datës dhe anës së trurit.

Megjithatë, ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, profesori Aleksej Duma, ka deklaruar për Deutsche Welle se përfshirja e Maqedonisë së Veriut në projekt ishte ligjore dhe pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar shkencor.

Sipas Dumës, shkencëtarë amerikanë të lidhur me Universitetin e Kolumbias kanë krijuar një bankë të madhe të trurit njerëzor për kërkime mbi vetëvrasjen, skizofreninë dhe çrregullime të tjera psikiatrike, me rreth 1 000 mostra nga disa vende. Maqedonia e Veriut, sipas tij, ka kontribuar me vetëm 10 deri në 15 mostra në vit.

Ishte projekti më i madh ndërkombëtar në të cilin kemi marrë pjesë”, tha Duma, duke theksuar se çdo mostër është dërguar me dokumentacion të plotë, me miratim nga Komitetet e Etikës në Maqedoni dhe në SHBA, ka kaluar procedurat doganore dhe është transportuar nën kushte të rrepta, në temperatura deri në -80 gradë Celsius.

Ai mohoi çdo përfitim personal ose institucional nga procedura dhe sqaroi se shifra prej 1 000 trurësh nuk i referohet Maqedonisë, por koleksionit total nga disa shtete.

Duma pranoi se nuk mban mend nëse në atë periudhë kërkohej gjithmonë pëlqimi i familjarëve, apo vetëm miratimi i Komitetit të Etikës dhe një letër informuese, por theksoi se projekti ka prodhuar rezultate të rëndësishme shkencore. Sipas tij, kërkimet kanë ndihmuar në identifikimin e ndryshimeve morfologjike në tru që lidhen me vetëvrasjen, në kuptimin më të thellë të lidhjes mes skizofrenisë dhe vetëvrasjes, si dhe kanë sjellë përfitime për Maqedoninë, përfshirë pajisje laboratorike, trajnime dhe mundësi doktorature për studiuesit e rinj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit