Një përplasje e armatosur tronditi mbrëmjen e së dielës fshatin Rrilë në Lezhë, kur 7 persona të maskuar hynë në një berberhane dhe prezantuan veten si policë. “Mos lëvizni, policia!” kanë thirrur ata. Pesë prej tyre mbanin armë zjarri automatike, ndërsa dy të tjerët shkopinj bejsbolli. Nga të shtënat mbeti i plagosur berberi Sokol Daci, ndërsa 21-vjeçari Merando Nikulaj, objektivi i sulmit, shpëtoi duke reaguar me armë.
Hetimet e policisë dhe pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan se sulmuesit kishin për qëllim dhunimin e Nikulajt, me të cilin kishin pasur konflikt disa muaj më parë. Në përplasjen e brendshme, efektivi i policisë Besart Kovaçi, tashmë i arrestuar për shpërdorim detyre, dyshohet se ka qëlluar, ndërsa një nga autorët i është përgjigjur me breshëri automatike, duke plagosur berberin. Ngjarja rezultoi si shkëmbim zjarri mes palëve, dhe jo një atentat i drejtuar vetëm ndaj Nikulajt.
Policia ka shpallur në kërkim 4 persona, Gerardo, Eliseo dhe Kevin Ndoka, si dhe Merando Nikulaj, i cili dyshohet i plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur në spital. Ata akuzohen për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm të marsit 2025 në zonën e Kunes në Shëngjin, kur anëtarë të fisit Nikulaj përplasën me automjet dy pjesëtarë të fisit Ndoka që lëviznin me motoçikleta.