Shtatë personat që hynë mbrëmjen e së dielës në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur berberi Sokol Daci, janë prezantuar si punonjës policie. Të kamufluar dhe me kapuçë në kokë, pesë prej tyre ishin të armatosur me armë zjarri automatike, ndërsa dy të tjerë mbanin shkopinj bejsbolli.
Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit Merando Nikulaj, me të cilin kishin pasur një konflikt disa muaj më parë. Në momentin që kanë hyrë në ambientin e berberhanes, ku Nikulaj po qethej, ata janë përballur me të shtëna me armë zjarri.
Sipas të dhënave zyrtare, përveç efektivit të policisë Besart Kovaçi, i arrestuar për shpërdorim detyre, dyshohet se ka qëlluar me armë edhe vetë 21-vjeçari Nikulaj. Në këto rrethana, një nga shtatë personat i është përgjigjur zjarrit me breshëri automatiku, duke lënë të plagosur aksidentalisht berberin Sokol Daci.
Deri në këtë fazë të hetimeve, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe Merando Nikulaj. Ky i fundit dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”, ndërsa vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Policia po ushtron kontrolle në disa zona ku dyshohet se mund të jenë fshehur.
Ngjarja, e ndodhur në qendër të fshatit Rrilë, fillimisht u raportua si atentat, por nga zbardhja e plotë e saj rezulton se bëhet fjalë për një përplasje me armë zjarri mes palëve, si pasojë e një konflikti të mëparshëm të ndodhur në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin. Në atë kohë, pjesëtarë të fisit Nikulaj janë konfliktuar fillimisht verbalisht dhe më pas kanë përplasur qëllimisht me automjet dy pjesëtarë të fisit Ndoka, të cilët lëviznin me motoçikleta.