Bill Gates: Kemi vaksina të shkëlqyera që po vijnë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.02.2026, 01:29

Një video e një fjalimi të Bill Gates, të mbajtur dy vite më parë, është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes në rrjet, ku ai flet për rëndësinë e vaksinave dhe investimit në shëndetësinë globale, në një kohë kur në shumë vende është rritur dukshëm numri i njerëzve që refuzojnë vaksinimin, përfshirë edhe prindër që nuk pranojnë t’i vaksinojnë fëmijët.

Në fjalën e tij, Gates tha se “po vijnë vaksina të shkëlqyera”, duke përmendur veçanërisht vaksinën kundër RSV (virusi respirator sincicial), si edhe vaksinën e HPV-së, për të cilën u shpreh se mund të mbrojë një brez të tërë vajzash nga kanceri i qafës së mitrës, nëse sigurohet financimi i nevojshëm.

Sipas Gates, mjetet dhe vaksinat duhet të prioritizohen dhe të shkojnë te njerëzit që kanë më shumë nevojë, ndërsa investimi në institucionet globale të shëndetësisë, sipas tij, jep rezultate konkrete. Ai iu përgjigj edhe skeptikëve që vënë në dyshim ndikimin e ndihmës, duke thënë se ka të dhëna të qarta që tregojnë se fëmijët e shëndetshëm mbijetojnë më shumë, ndjekin shkollën dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të tyre.

Në një tjetër pjesë të fjalimit, Gates theksoi se çdo dollar i investuar në shëndetësinë globale, sipas tij, prodhon mbi 20 dollarë kthim, përmes rritjes së produktivitetit, uljes së kostove shëndetësore dhe rritjes ekonomike. Ai shtoi se ka shumë arsye për të mbështetur këto institucione: nga aspekti moral, te stabiliteti global, rritja e ekonomisë botërore dhe parandalimi i pandemive.

Megjithatë, deklaratat e Gates po komentohen gjerësisht në rrjet edhe për një arsye tjetër: në javët e fundit emri i tij është përmendur sërish në diskutimet publike që lidhen me dosjen Epstein, çka për shumë njerëz ka ndikuar negativisht në perceptimin dhe besueshmërinë e tij në publik. Kjo ka bërë që çdo deklaratë e tij mbi vaksinat apo shëndetësinë të shoqërohet me më shumë dyshime, debate dhe reagime të forta.

Në këtë klimë, ku një pjesë e shoqërisë kërkon më shumë transparencë dhe një pjesë tjetër mbron fort idenë e vaksinimit, fjalimi i Bill Gates pritet të ndezë sërish diskutime: A po vijnë realisht vaksina që do të shpëtojnë jetë, apo publiku sot nuk i beson më lehtë figurave të mëdha?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit