Në minutën e 85-të të përballjes mes Partizanit dhe AF Elbasanit, e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, u regjistruan momente ankthi, pasi futbollisti i Partizanit, Saliu Sembene, u shemb papritur në fushën e lojës.
Menjëherë pas ngjarjes, stafi mjekësor dhe ambulanca ndërhynë me urgjencë për t’i dhënë ndihmën e parë lojtarit. Pas disa minutash tensioni, Sembene u përmend, duke qetësuar disi atmosferën në stadium.
Futbollisti nuk u transportua menjëherë drejt spitalit, por u largua nga fusha me barelë dhe u shoqërua drejt dhomave të zhveshjes, ku iu nënshtrua kontrolleve të mëtejshme mjekësore.
Si pasojë e incidentit, ndeshja u ndërpre për rreth pesë minuta, për t’u rinisur më pas, ndërsa në fund dy skuadrat u ndanë në barazim 2-2, duke marrë nga një pikë secila.