Teksa Kodi i ri Penal parashikon masa të rënda, përfshirë edhe burgim për parkimet dyshe, duket se në Gjirokastër këto rregulla mbeten thjesht në letër. Banorët nuk e vrasin shumë mendjen dhe vijojnë të parkojnë ku t’u teket, pa asnjë frikë nga ndëshkimi.
Në një video të dërguar pranë redaksisë sonë, shihet qartë se si automjetet janë parkuar dysh, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e rrugës dhe duke krijuar kaos për drejtuesit e tjerë të mjeteve, por edhe për këmbësorët.
Pamjet flasin vetë: rruga është kthyer në parking privat, ndërsa respektimi i ligjit duket se është një koncept i panjohur për një pjesë të shoferëve. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur mendon se në raste emergjence, ambulanca apo zjarrfikësja do ta kishin të pamundur kalimin.
Ndërkohë, Policia e Gjirokastrës duket se këtë fundjavë ka zgjedhur të jetë “me pushime”. Asnjë efektiv, asnjë masë, asnjë gjobë, sikur gjithçka të ishte në rregull. Ligji është i ashpër në letër, por në terren zbatimi i tij mungon totalisht.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e autoriteteve dhe selektivitetin në zbatimin e ligjit, duke lënë qytetarët të përballen çdo ditë me kaos, papërgjegjshmëri dhe indiferencë institucionale.