“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, e-maili i ish Sekretari i Përgjithshëm të KiE drejtuar Epsteinit pas vizitës në Shqipëri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 31.01.2026, 12:36

Një email i datës 25 maj 2012 hedh dritë mbi një komunikim mes Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, dhe Jeffrey Epstein, vetëm një ditë pas vizitës zyrtare të Jagland në Shqipëri.

Në mesazhin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”. Email-i është dërguar më 25 maj, ndërsa vizita zyrtare në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, fakt i konfirmuar nga axhendat dhe burimet publike.

Sipas dokumenteve zyrtare, gjatë qëndrimit në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me figura të larta shtetërore të kohës, përfshirë Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm, Sali Berishën, kryeministër, si dhe Bamir Topin, President i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në kuadër të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Thorbjørn Jagland ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, institucion paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende anëtare. Ai ka shërbyer gjithashtu si ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.

Email-i i bërë publik nuk përmban detaje mbi ndonjë takim privat apo aktivitet jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i përfshirë në këtë komunikim mbetet i paqartë dhe nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë. Deri më tani, nuk ekzistojnë prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein, një figurë që më vonë u përfshi në skandale të rënda ndërkombëtare, ngre pikëpyetje mbi natyrën e kontakteve private mes tij dhe përfaqësuesve të lartë institucionalë. Këto rrethana mbeten ende të paqarta dhe kërkojnë sqarim të mëtejshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit