Një nga ndryshimet më të pazakonta të Kodit të ri Penal është neni 108/b, që parashikon burg për organizimin e udhëtimeve ku kryhen marrëdhënie seksuale jashtë Shqipërisë. Drafti specifikon se edhe nëse organizuesi nuk merr ndonjë shpërblim për këtë, dënimi mbetet i njëjtë, nga dy deri në gjashtë vjet burg. Kjo do të thotë se çdo person që fton dikë tjetër në një udhëtim ku ndodh marrëdhënie intime mund të përfundojë pas hekurave.
Në Kodin e Ri penal thuhet:
Neni 11
Pas nenit 108/a shtohet neni 108/b, me këtë përmbajtje:
Neni 108/b
Organizimi i udhëtimeve për qëllime seksuale
Organizimi i udhëtimeve për të tjerë, përkundrejt shpërblimit apo jo, me qëllim kryerjen e ndonjë prej veprave penale të parashikuara në këtë seksion ose në nenet 114, 114/a/1 dhe 117, pavarësisht parashikimeve ligjore përkatëse në vendin për ku organizohet udhëtimi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Nëse kjo vepër kryhet nga personi juridik, gjykata, krahas dënimeve të tjera për të, vendos edhe mbarimin e personit juridik.

Ligji synon të ndëshkojë jo vetëm ata që përfitojnë ekonomikisht nga organizimi, por edhe ata që vetëm lehtësojnë ose ndërmjetësojnë udhëtimin. Drafti përfshin gjithashtu raste kur veprimtaria kryhet nga një person juridik, si kompani ose biznes, duke parashikuar mbylljen e tërësishme të entitetit krahas dënimit penal të individëve të përfshirë.
Megjithatë, drafti lë ende të paqartë një pikë kyçe, si do të vërtetohet marrëdhënia seksuale e kryer jashtë vendit. Kjo ngre pyetje serioze për mënyrën e zbatimit të nenit dhe ka nxitur diskutime të gjera në publik për një prej rregullave më të pazakonta dhe të debatueshme të Kodit të ri Penal.