Tani është zyrtare: Rey Manaj i ka dhënë fund aventurës së tij në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka mbyllur bashkëpunimin me skuadrën e Al Sharjah, fakt që është konfirmuar nga vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në njoftimin zyrtar, Al Sharjah bëri me dije se kontrata me Manajn është zgjidhur me konsensus, duke i uruar më pas futbollistit shqiptar fat dhe suksese në vazhdim të karrierës së tij.
Prej javësh qarkullonin zëra për një largim të mundshëm të 28-vjeçarit nga klubi arab, por tashmë gjithçka është bërë zyrtare. Manaj ka vendosur të heqë dorë edhe nga një kontratë e majme, që kapte vlerën e 3.9 milionë eurove, vetëm për të realizuar largimin e tij.
Tashmë vëmendja është e gjitha te destinacioni i radhës i bomberit kuqezi, i cili pritet të jetë sërish Turqia. Sipas mediave turke, konkretisht “cilginlar58”, Rey Manaj ka arritur një akord verbal me Sivasspor, skuadra nga e cila u largua përpara transferimit te Sharjah.
Madje, raportohet se sulmuesi shqiptar është planifikuar të mbërrijë ditën e nesërme, në orën 17:00 (ora e Turqisë), në aeroportin e Sivasit, ku tifozët bardhekuq pritet t’i rezervojnë një pritje speciale. Për Manajn, ky do të jetë një rikthim i rëndësishëm në një ambient që e njeh mirë, pas një periudhe të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për pjesën e mbetur të sezonit, objektivi kryesor i Sivasspor mbetet ngjitja në Superligën turke, pasi aktualisht skuadra militon në Ligën e Parë, ndërsa eksperienca dhe instinkti i golit i Rey Manajt pritet të jenë vendimtarë në këtë mision.