Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i njohur ndryshe si AQ, i dënuar në Shtetet e Bashkuara me 22 vjet burg për akte terroriste. Ai akuzohet për dhënien ose tentativën e dhënies së mbështetjes materiale për individë ose grupe të përfshira në aktivitet terrorist, si dhe për deklarim të rremë për pajisje me pasaportë. Aktualisht, Alimehmeti po hetohet edhe në Shqipëri për pastrim parash dhe hetimet për procedurën pasurore bazohen në informacionin e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Nga verifikimet rezultoi se prindërit e tij, shtetasit ZA dhe VA, kanë kryer transaksione dhe veprime ekonomike me vlera të larta që nuk mund të justifikohen me të ardhurat e tyre. Ata pretenduan se kanë përfituar nga qiratë dhe kursimet, por nuk disponojnë dokumente që të vërtetojnë këto të ardhura. Prokuroria njofton se pasuritë e tyre nuk kanë origjinë të ligjshme dhe nuk mund të justifikohen nga dokumentacioni apo të ardhurat e ligjshme.
Si pasojë, Prokuroria kërkon kalimin në pronësi të shtetit të llogarive bankare të familjarëve, përfshirë: llogaritë e ZA me 39.49 lekë, 4.74 dollarë dhe depozita prej 50,109.56 dollarë dhe 3,862,244.93 lekë; llogaritë e VA me 15,001.09 euro; si dhe llogaritë e përbashkëta të ZA dhe VA me 11,734,250 lekë. Ky veprim synon të sigurojë që pasuritë e dyshuara të lidhura me aktivitetet e Sajmir Alimehmetit të kalojnë në pronësi të shtetit.