Franca ka vendosur t’i japë fund me ligj idesë së vjetër se martesa nënkupton detyrimin për marrëdhënie seksuale. Asambleja Kombëtare ka miratuar një projektligj që ndryshon Kodin Civil, duke sqaruar qartë se bashkësia e jetesës mes bashkëshortëve nuk do të thotë detyrim për të kryer marrëdhënie seksuale.
Me këtë ndryshim, mungesa e seksit nuk mund të përdoret më si arsye për divorc me faj. Deri tani, në ligjin francez martesa përkufizohet si respekt, besnikëri, mbështetje dhe ndihmë mes bashkëshortëve, por nuk përmendet askund detyrimi për marrëdhënie intime, edhe pse disa gjykata e kishin interpretuar ndryshe këtë pikë.
Ideja e të ashtuquajturave të drejta bashkëshortore vjen nga ligjet e vjetra kishtare të Mesjetës dhe nuk është e shkruar shprehimisht në ligj. Megjithatë, në disa raste moderne divorci, gjyqtarët e kishin lidhur bashkësinë e jetesës edhe me seksin, gjë që tani me ligjin e ri pritet të marrë fund përfundimisht.