Bujqësia në krizë: Fermerët pa mbështetje reale, prodhimi në rënie

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.01.2026, 08:43

Mungesa e mbështetjes reale nga shteti vijon të mbetet një nga arsyet kryesore të krizave të njëpasnjëshme në sektorin e bujqësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në largimin e fermerëve nga puna në tokë. Pavarësisht se bujqësia përmendet shpesh si prioritet kombëtar në diskursin qeveritar, situata në terren paraqitet ndryshe.

Fermerët raportojnë se subvencionet janë të pamjaftueshme, ndërsa një pjesë e madhe e tyre, veçanërisht fermerët e vegjël, hasin vështirësi për të përfituar naftë pa akcizë apo për të marrë pagesat direkte në llogaritë bankare.

Të dhënat e pesë viteve të fundit tregojnë një rënie të vazhdueshme të prodhimit bujqësor. Sipas ekspertëve, procedurat burokratike, mungesa e informacionit dhe konkurrenca e pandershme në treg po minojnë përpjekjet për rregullimin e sektorit. Në këtë kontekst, objektivi i qeverisë për të arritur një nivel eksportesh prej 1 miliard eurosh deri në vitin 2030, nga rreth 500 milionë euro aktualisht, konsiderohet ambicioz.

Një nga pengesat kryesore mbetet mosplotësimi i standardeve të Bashkimit Europian nga produktet bujqësore shqiptare, si dhe mungesa e kapaciteteve për përpunim, çka e vështirëson depërtimin në tregjet e huaja.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë administron një buxhet prej 135 milionë eurosh, i cili përmes rritjes progresive dhe skemave të granteve e subvencioneve arrin këtë vit në rreth 250 milionë euro mbështetje për fermerët dhe blegtorët. Pavarësisht pritshmërive për rezultate konkrete, sfida mbetet e madhe për të frenuar braktisjen e tokave dhe për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të fermerëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit