Operacion i madh antidrogë në Athinë, goditet rrjet greko-shqiptar në kampusin universitar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.01.2026, 22:41

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar ditën e sotme në Athinë, ku autoritetet greke kanë goditur një rrjet të organizuar të trafikut të drogës që vepronte brenda Kampusit Universitar të Zografou.

Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një organizatë kriminale greko-shqiptare, e cila ushtronte aktivitetin e saj në ambientet dhe zonat përreth kampusit universitar. Deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas grekë dhe dy shqiptarë.

Autoritetet greke bëjnë me dije se operacioni është ndërmarrë nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë (D.D.EEA/G.A.D.A.) dhe ka nisur që në orët e para të mëngjesit të së premtes, me qëllim çmontimin e plotë të organizatës kriminale.

Të arrestuarit, të cilët banonin në konviktet studentore të universitetit, dyshohen se ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kanabisi si dhe shuma parash që tejkalojnë 20 mijë euro.

Sipas informacioneve paraprake, trafiku i drogës zhvillohej kryesisht në zonën përreth Kampusit të Universitetit Zografou, ndërsa aksioni policor vijon ende dhe priten zhvillime të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit