“Sistemi ngec” sërish: Bizneset ankohen për probleme me Self-Care, mungojnë faturat e kaluara

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.01.2026, 21:05

Bizneset po përballen sërish me probleme në sistemin e faturave të fiskalizuara, duke raportuar vështirësi serioze në funksionimin e platformës “Self-Care”. Sipas tyre, sistemi punon me ndërprerje, shpesh ngec dhe në disa raste nuk lejon lëshimin e faturave.

Të vetëpunësuar dhe subjekte të ndryshme tregtare thonë se nuk po arrijnë të kryejnë faturimet në kohë, ndërsa një tjetër problem shqetësues lidhet me mungesën e të dhënave në platformë. Në shumë raste, faturat e mëparshme nuk shfaqen fare.

“S’dalin ende të gjitha faturat e blerjeve, nuk shfaqen as faturat e pardjeshme”, shprehet kontabilisti Dhamo, duke theksuar se kjo situatë krijon konfuzion dhe vështirësi në përputhjen e dokumentacionit financiar.

Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u kërkoi bizneseve që, nëse hasin probleme në Platformën Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, të përdorin zgjidhje alternative. Për subjektet që përdorin aplikacione për lëshimin e faturave, Tatimet sugjeruan që procesi të vijojë normalisht dhe faturat të fiskalizohen më vonë, sapo sistemi të rikthehet plotësisht në funksion.

Ndërkohë, për të vetëpunësuarit u sqarua se kanë dy mundësi: ose të pajisen me një softuer për lëshimin e faturave, ose të marrin pranë Tatimeve një bllok të posaçëm faturash. Megjithatë, bizneset shprehen se këto zgjidhje janë të përkohshme dhe nuk e zgjidhin problemin thelbësor të një sistemi që, sipas tyre, vazhdon të dështojë periodikisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit