Tragjedi në metronë e Hamburgut: Dy të vdekur pas një sulmi të dhunshëm në platformë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.01.2026, 18:16

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së enjtes qytetin e Hamburgut, ku dy persona humbën jetën në një stacion metroje pas një incidenti të dhunshëm, që sipas autoriteteve po hetohet si vrasje.

Sipas policisë gjermane, rreth orës 22:07 një vajzë 18-vjeçare po priste trenin në platformën e linjës U1, kur një 25-vjeçar me origjinë nga Sudani iu afrua dhe, për arsye ende të paqarta, e kapi me forcë. Të dy përfunduan mbi shina në momentin kur metroja po hynte në stacion, duke humbur jetën në vend.

Dëshmitarë okularë kanë deklaruar për mediat se i riu ishte parë më herët duke lëvizur përgjatë platformës dhe dyshohet se mund të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit. Sipas tyre, gjithçka ndodhi papritur dhe përpara syve të udhëtarëve të shumtë, duke shkaktuar panik dhe tronditje.

Skuadra e hetimit për vrasje ka marrë në dorë çështjen dhe, në bashkëpunim me prokurorinë, po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Trafiku hekurudhor në linjën U1 u pezullua për disa orë pas incidentit.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq Gjerman aktivizoi ekipin e ndërhyrjes në kriza për të ofruar mbështetje psikologjike për dëshmitarët e tronditur nga kjo ngjarje e rëndë. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi motivet që çuan në këtë akt ekstrem dhune.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit