Shorti i fazës playoff të Ligës së Kampioneve është hedhur në Nyon të Zvicrës, duke prodhuar çifte mjaft interesante dhe përballje me peshë të madhe europiane.
Ajo që tërheq menjëherë vëmendjen është rikthimi i Real Madridit në stadiumin ku vetëm dy ditë më parë u poshtërua në Lisbonë. Fati i ka vendosur “Los Blancos” sërish përballë Benficës, këtë herë në fazën e playoff-it, ku madrilenët do të synojnë revanshin dhe kualifikimin për më tej.
Me shumë gjasa për përplasje mes skuadrave të të njëjtit kampionat, shorti i buzëqeshi Ligue 1, pasi kampionët në fuqi të Europës, Paris Saint-Germain, do të përballen me Monacon, në një duel të brendshëm francez për vazhdimin e misionit të mbrojtjes së trofeut.
Interi, nënkampioni i kontinentit, do të ketë përballë norvegjezët e Bodø/Glimt, një sfidë që nuk pritet të jetë aspak e lehtë për zikaltrit, pavarësisht se në letër duken favoritë. Mjafton të kujtohet fitorja e Bodø/Glimt në fushën e Atletico Madridit për të kuptuar rrezikun e këtij shorti.
Rrugë e vështirë edhe për Juventusin, që do të duelojë me Galatasarayn, skuadrën turke që ka në përbërje një futbollist që e njeh mirë futbollin italian, si Osimhen.
Një tjetër përballje mjaft interesante është ajo mes Borussia Dortmundit dhe Atalantës, ndërsa Atletico Madrid do të masë forcat me Club Brugge. Dy çiftet e tjera të këtij raundi janë Qarabag–Newcastle dhe Olympiacos–Bayer Leverkusen.
Ndeshjet e para të fazës playoff do të luhen më 17–18 shkurt, ndërsa takimet e kthimit janë programuar për 24–25 shkurt.
Çiftet e playoff-it të Ligës së Kampioneve:
Monaco – Paris Saint-Germain
Benfica – Real Madrid
Qarabag – Newcastle
Bodø/Glimt – Inter
Galatasaray – Juventus
Borussia Dortmund – Atalanta
Club Brugge – Atletico Madrid
Olympiacos – Bayer Leverkusen