Qindra biznese në Shqipëri janë bllokuar për ditë të tëra për shkak të mosfunksionimit të platformës Self-Care, e cila operon përmes e-Albania dhe është kyçe për fiskalizimin, faturimin dhe procedurat ligjore.
Megjithatë Administrata Tatimore ka njoftuar bizneset për dorëzimin e inventarëve analitikë të datës 31.12.2025 brenda datës 31.01.2026, por mosfunksionimi i sistemit ka bërë të pamundur rakordimin e faturave dhe përgatitjen e pasqyrave financiare.
Kontabilistët shprehen se pa akses në Self-Care, procesi i hartimit të pasqyrave bëhet një “ushtrim hamendësimi”, duke cënuar parimin e vërtetësisë së të dhënave. Për këtë arsye ata kanë këruar shtyrjen e afateve, duke theksuar se rakordimi i shitjeve dhe konfirmimi i blerjeve midis softuerit dhe serverit tatimor është kthyer në një mision të pamundur. Pa një pasqyrë të qartë, hartimi i pasqyrave financiare mbetet i papërfunduar dhe bizneset rrezikojnë gjoba ose verifikime të menjëhershme.
Burime nga terreni bëjnë me dije se problemi lidhet me tenderin e mirëmbajtjes së Self-Care dhe dorëheqjet e punonjësve në AKSHI, ndërsa SPAK ka nisur hetime mbi tenderët e dhënë nga institucioni.
Bizneset kanë paralajmëruar se mungesa e aksesit pengon kryerjen e detyrimeve ligjore, përfshirë fiskalizimin e faturave dhe deklaratat doganore, në kundërshtim me Ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Situata ndodh ndërkohë që investimet për qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm, duke kapur mbi 20 miliardë lekë vetëm në vitin 2025. Megjithatë, pavarësisht fondeve rekord, bizneset mbeten pa mundësi të përmbushin detyrimet, duke u bërë viktimë e vetë sistemit shtetëror që duhet t’i ndihmojë.