Tedi Minollari i “Family Hospital” ‘i shkatërron’ hundën pacientit, administratorja: Hiq komentet negative

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.01.2026, 13:52

Një denoncim serioz është bërë nga një pacient ndaj një klinike private në Tiranë, Family Hospital, dhe mjekut kirurg Tedi Minarolli, lidhur me një ndërhyrje estetike në hundë që, sipas tij, ka përfunduar në dështim të plotë dhe me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike.

Pacienti ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale më 10 dhjetor, për atë që ishte paraqitur si rimodelim i hundës. Pas disa konsultash të mëparshme me mjekë të ndryshëm, ai ishte informuar se rasti i tij kërkonte domosdoshmërisht një ndërhyrje me teknikë të hapur, gjë që u dakordësua edhe me mjekun në fjalë si zgjidhja më e përshtatshme.

Megjithatë, pas operacionit, pacienti ka mësuar se ndërhyrja nuk është kryer sipas marrëveshjes. Në vend të teknikës së hapur, është aplikuar një ndërhyrje me teknikë të mbyllur, e cila ka zgjatur vetëm 45 minuta, për shkak se kirurgu nuk ka pasur kohë të qëndronte më gjatë.

Rezultati i operacionit ka qenë zhgënjyes. Sipas pacientit, hunda ndodhet në gjendje më të keqe se përpara ndërhyrjes, paraqitet asimetrike dhe ka një devijim të theksuar në majë, duke i shkaktuar dëmtim të dukshëm estetik. Ai shprehet se ndërhyrja i ka prishur fytyrën.

Situata rëndohet edhe më shumë pasi, sipas konsultave të mëvonshme me mjekë të tjerë, dëmi i shkaktuar nuk mund të riparohet pa një ndërhyrje tjetër shumë më të rëndë. Operacioni korrigjues mund të kryhet vetëm pas të paktën një viti dhe kërkon marrjen e kartilagut nga brinjët, me një kosto dhjetëfish më të lartë.

Ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është fakti se administratorja e klinikës, Fabiola Leskaj nuk ka shfaqur interes për të riparuar dëmin e shkaktuar. Përkundrazi, shqetësimi kryesor ka qenë heqja e komenteve negative, dhe jo zgjidhja e problemit apo mbështetja e pacientit.

Në fund, pacienti u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos mashtrohen nga vlerësime pozitive apo imazhe të kuruara, pasi pas tyre mund të fshihen raste të rënda papërgjegjshmërie me pasoja të pakthyeshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit