Një oficer i emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar i cili ka qenë vetë emigrant i paligjshëm, po përballet tani me akuza të rënda penale për vjedhje ndaj emigrantëve që mbërrinin në Britani përmes Kanalit të La Manshit.
36-vjeçari shqiptar Besmir Matera, akuzohet së bashku me katër oficerë të tjerë të emigracionit për komplot për vjedhje. Sipas prokurorisë, ata dyshohet se gjatë viteve 2021–2022 kanë marrë para nga emigrantët që mbërrinin në portin e Doverit, pasi shpëtoheshin nga gomone në Kanal.
Matera përballet gjithashtu me akuza shtesë për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2003–2004, duke përdorur identitet të rremë në një aplikim për azil, si dhe për posedim dokumentesh false, përfshirë pasaporta dhe patentë drejtimi, në periudha të ndryshme nga viti 2011 deri në 2022.
Sipas akuzës, ai ka hyrë në Britani në moshën 14-vjeçare përmes një udhëtimi shkollor dhe më pas është raportuar i zhdukur në Brighton, pasi grupi i tij nga Shqipëria ishte kthyer në atdhe. Autoriteteve u kishte deklaruar se ishte nga Kosova.
Prokurorja Rosalind Earis deklaroi në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster se të pandehurit punonin në një njësi të posaçme të emigracionit, e ngarkuar me trajtimin e emigrantëve që mbërrinin me anije të vogla, dhe se ata dyshohet se bashkëpunuan për të vjedhur shuma të konsiderueshme parash nga sendet personale të emigrantëve, të cilat më pas i ndanin mes tyre.
Në total, gjashtë oficerë janë akuzuar në këtë çështje dhe të gjithë janë pezulluar nga detyra. Ata janë liruar me kusht dhe pritet të paraqiten më 26 shkurt në Gjykatën e Kurorës në Southwark për seancën përgatitore të gjykimit.