Një përplasje e fortë verbale u shënua këtë të premte gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me fermerët në Divjakë, teksa diskutimi për përmbytjet dhe dëmet në bujqësi nxori në pah hendekun mes halleve reale të qytetarëve dhe arrogancës së pushtetit.
Një fermer ndërhyri duke thënë qartë: “Jemi shtresa më e pambrojtur”, duke kërkuar vëmendje për dëmet që kanë shkatërruar dhjetëra hektarë tokë dhe kanë rrezikuar jetesën e familjeve të tyre.
Fermeri theksoi se disponon deri në 20 hektarë tokë dhe se me to mban familjen, duke sqaruar se nuk po bën politikë, por po flet për mbijetesë.
Por në vend të një përgjigjeje konkrete apo empatie, kryeministri reagoi me tone autoritare duke i thënë: “Ulu, ka radhë, ka edukatë… nuk merr fjala mëzor”, duke e cilësuar shqetësimin e fermerit si absurd. Edhe kur qytetari u përpoq të sqarojë se ka hall, Rama e ndërpreu sërish, duke mos i lënë hapësirë për të folur.
Më tej, kur fermeri përsëriti se fermerët janë shtresa më e pambrojtur dhe se ka familje për të mbajtur, Rama reagoi me cinizëm.
Në vend që takimi të shërbente për dëgjim dhe zgjidhje, u kthye në një tjetër episod ku kryeministri zgjedh të heshtë qytetarët dhe të minimizojë vuajtjet e atyre që sot po përballen me humbje të mëdha dhe mungesë totale mbështetjeje nga shteti.