Prej ditës së djeshme, dhjetëra qytetarë kanë denoncuar kaosin në DPTSHRR Durrës, ku prej rreth orës 13:00 sistemi ka rënë dhe vazhdon të mos funksionojë ende. Qytetarët shprehen se janë detyruar të lënë punën për dy ditë radhazi për të kryer dokumentet e makinave, ndërsa përballen vetëm me justifikimin “nuk ka sistem”, pa asnjë sqarim, afat apo zgjidhje konkrete nga institucioni.
“Përshëndetje JOQ! Po ju shkruaj për një problem serioz që po ndodh prej ditës së djeshme te DPTSHRR Durrës, aty ku bëhen letrat e makinave. Që nga dje rreth orës 13:00 nuk ka sistem dhe deri më sot ende nuk funksionon, pa asnjë zgjidhje apo informacion të saktë për qytetarët. Shumë prej nesh kemi lënë dy ditë rresht punën, dje dhe sot, për të kryer dokumentet e makinave, por na thuhet vetëm “nuk ka sistem” dhe kaq. Askush nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk jep një afat apo zgjidhje konkrete. Shpresojmë që ky problem të marrë vëmendje dhe të mos vazhdojë kjo situatë e papranueshme për qytetarët”, shkruan qytetari.
"Përshëndetje JOQ. Kemi një problematikë me DPSHTRR të qarkut Durrës ku na thonë se nuk ka sistem dhe për këtë arsye nuk mund të procedojnë me plotësimin e kolaudimit dhe pagesën e taksave të makinës. U bë dita e dytë radhazi ku si unë dhe shumë qytetarë kemi lënë punët tona. Ju lutem postojeni që të merren masat. Faleminderit", shkruan një qytetar tjetër.
Situata ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e DPSHTRR-së. Në krye të këtij institucioni ndodhet Kreshnik Bajraktari, i cili duhet të reagojë dhe të mbajë përgjegjësi për këtë bllokim që po penalizon qytetarët dhe të japë zgjidhje. Ankesa të ngjashme kanë ardhur edhe nga Tirana, duke treguar se ky nuk është një rast i vetëm, por një problem që po përsëritet në disa qytete të vendit.