Një 49-vjeçar është arrestuar në fshatin Buçimas të Pogradecit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Veprimtaria”, pasi dyshohet se shiste lëndë narkotike në lokalin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në ambientet e lokalit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e dyshuar kanabisi, e cila u mor në cilësinë e provës materiale.
Sipas njoftimit zyrtar, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur procedimi penal edhe për një 15-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike. Dyshohet se droga ishte blerë nga 49-vjeçari i arrestuar, ndërsa materialet për rastin janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar gjithashtu tre aparate celularë dhe një shumë parash, të cilat do të analizohen për të verifikuar lidhjen e tyre me veprimtarinë e dyshuar kriminale. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.