Një ministër në Malajzi ka shkaktuar reagime të forta në rrjet, pasi pretendoi se stresi në punë është një nga faktorët kryesorë që i shtyn njerëzit të “përfshihen në komunitetin LGBTQ+”.
Sipas raportimeve në mediat e huaja, deklarata erdhi nga Dr. Zulkifli Hasan, Ministër në Departamentin e Kryeministrit për Çështjet Fetare, i cili e bëri këtë koment në një përgjigje me shkrim në parlament, gjatë një diskutimi për trendet e LGBTQ+ në vend.
Në përgjigjen e tij, ministri përmendi si “shkaqe” të asaj që ai e quajti “sjellje të lidhura me LGBTQ+”: ndikimin e shoqërisë, eksperiencat seksuale, stresin në punë, dhe mungesën e praktikës fetare.
Ai shtoi gjithashtu se gjatë periudhës 2022-2025 janë regjistruar 135 raste të lidhura me aktivitetet LGBTQ+, në formë arrestimesh apo procedimesh, duke kujtuar se marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks janë të paligjshme në Malajzi.
Komentet e ministrit u pritën me habi nga shumë qytetarë në rrjetet sociale. Disa përdorues e ironizuan duke pyetur me sarkazëm nëse ministri “punon fort në parlament”, pasi sipas tyre ai “nuk paska ndryshuar”.
Një komentues shkroi: “Sipas kësaj logjike, jam i habitur që e gjithë zyra ime nuk është bërë ende gay”.
Të tjerë e përdorën rastin për të ironizuar kushtet e punës dhe pagat, duke sugjeruar se qeveria duhet të rrisë pagën minimale, të ulë koston e jetesës ose të aplikojë javë pune 4-ditore, që popullsia të mos bëhet “më gay”.