Identifikohet shqiptari i plagosur në Greqi: Detaje të reja nga sulmi me thikë në burgun e Malandrinos

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 29.01.2026, 22:15

Zbardhen detaje të reja lidhur me plagosjen e një shtetasi shqiptar në burgun e sigurisë së lartë të Malandrinos, në Greqi. I plagosur ka mbetur 46-vjeçari nga Labova, Dhimitër Meci, i njohur edhe me nofkën “Dhimo”.

Sipas autoriteteve greke, Meci është sulmuar me një thikë të improvizuar nga i burgosuri grek E. Nousi, i cili punonte në mensën e burgut. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, menjëherë pas transferimit të Mecit nga burgu i Koridhalos drejt Malandrinos.

Burime zyrtare bëjnë me dije se që prej arrestimit të tij në fillim të dhjetorit 2025, Meci mbahej në repartin psikiatrik të burgut të Koridhalos.

Dhimitër Meci u arrestua nga policia greke në një operacion të gjerë, së bashku me Andrea Brokerin nga Himara, Fatjon Prendin dhe disa shtetas grekë. Në të njëjtin operacion u shpall në kërkim edhe Vasil Theohari nga Finiqi. Grupi akuzohej për tentativë vrasjeje ndaj mafiozit grek Jani Lala, në maj të vitit 2025.

Lala u ekzekutua disa muaj më vonë nga një grup tjetër kriminal. Pas arrestimit të Mecit, gjatë kontrolleve në banesat e tij në Greqi dhe Shqipëri, policia gjeti një arsenal armësh.

Meci rezulton i dënuar disa herë në Greqi për një sërë veprash penale, përfshirë vjedhje, grabitje, përdorim armësh, tentativë vrasjeje, vrasje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2004 për vrasjen e një emigranti sirian në qendër të Athinës. Gjatë një leje 9-ditore nga burgu rural i Kasandrës, u përfshi në grabitjen e një agjencie bastesh në Glifadha, ku u vodhën rreth 65 mijë euro.

Pas lirimit të tij në vitin 2011, Meci dyshohet se u përfshi në aktivitete kriminale në disa zona të Athinës, përfshirë zhvatje dhe vrasje me pagesë. Autoritetet greke e lidhin emrin e tij me disa ngjarje të rënda kriminale ndër vite, përfshirë vrasje të profilit të lartë në botën e krimit.

Në vitin 2018, ndërsa ndodhej i burgosur në Koridhalo, Meci u identifikua si bashkëpunëtor në vrasjen e shqiptarit Artin Kato në vitin 2012 në Athinë, për të cilën u dënua me 10 vite burg.

Autoritetet greke po hetojnë motivet e sulmit në burgun e Malandrinos, ndërsa gjendja shëndetësore e Mecit raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit