Marrëveshja mes Interit dhe Beşiktaş është mbyllur, duke i hapur rrugë transferimit të Kristjan Asllanit te klubi turk. Mesfushori shqiptar do të transferohet në Stamboll në formën e huazimit, me të drejtë blerjeje në përfundim të sezonit.
Asllani pritet të udhëtojë që sot drejt Turqisë për të finalizuar procedurat e marrëveshjes. Beşiktaş do të mbulojë plotësisht pagën e lojtarit për pjesën e mbetur të sezonit.
Ky transferim vlerësohet disi i papritur, pasi më herët mesfushori kishte shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën vetëm në Itali, duke mos qenë i hapur ndaj ofertave jashtë Serie A.
Në rast se Beşiktaş vendos të aktivizojë opsionin e blerjes në muajin qershor, klubi turk do të duhet të paguajë një shumë që varion nga 12 deri në 13 milionë euro. Kujtojmë se përpara këtij transferimi, Kristjan Asllani ishte pjesë e Torinos gjatë gjysmës së parë të sezonit.