Qindra zjarrfikës kanë dalë sot në protestë në qytetin Lille të Francës, duke denoncuar mungesën e stafit, mungesën e mjeteve dhe përkeqësimin e kushteve të punës.
Gjatë protestës, zjarrfikësit bllokuan rrugën unazore të Lille, përpara se të marshonin drejt godinës së SDIS (shërbimi zjarrfikës). Në zonë u ndezën edhe zjarre të mëdha, ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë.
Sipas raportimeve, protestuesit përdorën goma makinash për të ndezur zjarr në rrugë dhe tentuan të hyjnë në selinë e SDIS, e cila ishte e rrethuar nga forcat e rendit.
Kjo protestë vjen në një kohë kur, sipas tyre, shërbimi zjarrfikës në Francë është goditur nga mungesa kronike e personelit, pas shkurtimeve të viteve të fundit. Vetëm gjatë periudhës 2021-2022, raportohet se janë shkurtuar mbi 5 mijë vende pune në këtë sektor, duke rritur pakënaqësitë dhe përplasjet me qeverinë.