Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një situatë shqetësuese të ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku për shkak të parkimeve të paligjshme ka mbetur e bllokuar për rreth dy orë, pa mundur të nxjerrë automjetin nga parkingu.
Ngjarja ka ndodhur në një rrugë mes pallateve, pranë një akademie, ku automjete të parkuara në mënyrë të çrregullt kanë bllokuar plotësisht qarkullimin. Sipas qytetares, rruga ishte aq e ngushtuar sa asnjë mjet nuk mund të kalonte, duke krijuar një situatë alarmante dhe potencialisht të rrezikshme.
Denoncuesja ngre shqetësimin se nëse do të kishte ndodhur një emergjencë shëndetësore apo ndonjë fatkeqësi, as ambulanca dhe as zjarrfikësja nuk do të kishin pasur mundësi të kalonin. Ajo thekson se vetëm pas shumë përpjekjesh dhe me vështirësi të mëdha ka arritur të dalë nga parkimi.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të reagimit të autoriteteve. Qytetarja tregon se kur ka tentuar të njoftojë policinë rrugore, nuk ka marrë asnjë zgjidhje, përkundrazi është përballur me shpërfillje, duke iu bërë e ditur se për automjetet e parkuara pranë zyrave shtetërore nuk vendosen masa ndëshkuese.
Ky rast nxjerr edhe një herë në pah mungesën e kontrollit mbi parkimet në kryeqytet dhe zbatimin selektiv të ligjit, duke vënë në rrezik serioz sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Redaksia jonë publikon videon e dërguar nga qytetarja, si dëshmi e një realiteti të përditshëm në Tiranë, ku kaosi dhe pandëshkueshmëria vazhdojnë të mbizotërojnë.