Britania e Madhe dhe Kina kanë sinjalizuar një “rifillim” në marrëdhëniet mes tyre, pasi kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti kinez Xi Jinping u zotuan për më shumë bashkëpunim në tregti, investime dhe teknologji.
Starmer vizitoi Pekinin, duke u bërë lideri i radhës perëndimor që shkon në Kinë në një kohë kur aleatët e SHBA-së janë të pasigurt për shkak të lëvizjeve të paparashikueshme të Donald Trump.
Në takimin e parë të këtij niveli me një kryeministër britanik pas 8 vitesh, Pekini pranoi 30 ditë hyrje pa vizë për britanikët, si dhe përgjysmimin e tarifave kineze për uiskin.
Ndërkohë, kompania farmaceutike britanike AstraZeneca njoftoi një investim prej 15 miliardë dollarësh në Kinë, duke e paraqitur këtë si shembull të përfitimeve që mund të sjellë afrimi ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Starmer dhe Xi diskutuan për tregtinë dhe sigurinë, luftën në Ukrainë, por edhe për futbollin dhe Shekspirin. Starmer i dhuroi Xi-t një top nga një ndeshje mes Manchester United (ekipi i preferuar i Xi) dhe Arsenal (ekipi i Starmer).
Megjithatë, afrimi i Londrës me Pekinin ka sjellë kritika nga disa politikanë britanikë dhe amerikanë, të cilët akuzojnë Kinën për spiunazh dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Starmer tha se marrëdhëniet më të afërta do të mundësojnë edhe “dialog të sinqertë” kur ka mosmarrëveshje, ndërsa më pas u shpreh se kishte folur me Xi edhe për rastin e Jimmy Lai, biznesmen dhe qytetar britanik në Hong Kong, i dënuar për çështje sigurie kombëtare.
Në fund, Britania dhe Kina ranë dakord të bashkëpunojnë edhe për një çështje sigurie: goditjen e bandave që trafikojnë emigrantë, duke synuar veçanërisht uljen e përdorimit të motorëve të prodhuar në Kinë për varkat e vogla që përdoren për kalime të paligjshme drejt Britanisë.
Në rrjetet sociale kineze u shpërnda edhe një video ku Starmer shihet duke praktikuar fjalën “faleminderit” në kinezçe: “xie xie”.