Një qytetar nga Saranda i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një situatë shqetësuese që i ka ndodhur gjatë një qëndrimi në kryeqytet, ku sipas tij është trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga policia rrugore.
Sipas denoncimit, qytetari kishte parkuar automjetin pranë zonës së Bulevardit, kur ka konstatuar se ishte gjobitur me 2 mijë lekë, sepse makina e tij mbante targa të qytetit të Sarandës. Ndërkohë, automjete të tjera të parkuara në të njëjtën zonë, por me targa të reja “AA”, janë ndëshkuar me gjobë më të ulët, vetëm 1 mijë lekë.
Kjo diferencë në masën e gjobës ngre pikëpyetje serioze mbi kriteret e ndjekura nga policia dhe mënyrën se si zbatohet ligji në praktikë. Përse për të njëjtën shkelje vendosen penalitete të ndryshme?
Veprime të tilla jo vetëm që krijojnë ndjesinë e diskriminimit, por edhe dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve te organet e rendit, të cilat prej kohësh janë vënë nën akuza për gjoba selektive, të padrejta dhe të vendosura sipas rastit, e jo sipas ligjit.