Zvarritja e heqjes së imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku ka hyrë në një “ping-pong” institucional mes Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Mandateve, duke bllokuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Prej më shumë se një viti, çështja kalon nga një institucion tek tjetri pa asnjë vendim konkret, ndërsa mazhoranca dhe opozita përplasen politikisht për përgjegjësinë e vonesave. Situata ka ngritur dyshime serioze për mungesë vullneti për trajtim urgjent të një rasti që prek numrin dy të qeverisë Rama.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit socialist Niko Peleshi pranoi se mbledhja e Këshillit të Mandateve u shty me kërkesë të deputetëve Taulant Balla dhe Bledi Çomo, duke theksuar se veprimi ishte në përputhje me rregulloren. “Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”, deklaroi Peleshi, duke ia kaluar topin Kushtetueses për vendimin përfundimtar.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të mos shprehet, pavarësisht se u mblodh këtë javë, me arsyetimin se i nevojitet më shumë kohë. Kjo sjellje paralele e Kushtetueses dhe Këshillit të Mandateve po mban të bllokuar kërkesën e SPAK, i cili e ka marrë tashmë Ballukun të pandehur dhe kërkon arrestimin e saj për shkak të rrezikut të prishjes së provave. Akuzat lidhen me paracaktim fituesish në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe shkelje në dosjen e Unazës së Madhe, ndërsa vonesat institucionale po minojnë gjithnjë e më shumë besimin publik te drejtësia dhe barazia para ligjit.