Në Stamboll, në lagjen Umraniye, një çift i ri u hodh nga kati i katërt i një pallati për të mos u kapur nga familjarët.
I riu kishte shkuar për të takuar të dashurën në banesën e saj, por situata doli jashtë kontrollit kur familja e vajzës u kthye papritur në shtëpi. Të kapur nga paniku dhe nga frika e përballjes me familjarët, të dy vendosën të hidhen nga dritarja e katit të katërt.
Si pasojë e rënies, ata u plagosën rëndë dhe përfunduan në spital. Pamjet e ngjarjes u filmuan nga fqinjët dhe tregojnë momentin kur çifti bie në oborrin e pallatit. Pas incidentit, familjarët dhe banorët e zonës u tronditën dhe kërkuan menjëherë ndihmë mjekësore. Në pamjet e publikuara dëgjohet edhe vëllai i vajzës duke thënë: “Mos vdes, shpresoj të mos të ndodhë asgjë”.
Sipas mediave turke, të dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetën, por kanë pësuar lëndime serioze, ndër to edhe dëmtime në mushkëri për vajzën.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi, duke hapur diskutime për presionin familjar dhe shoqëror që shpesh i shtyn të rinjtë të marrin vendime të rrezikshme nga frika e gjykimit apo konfliktit me familjen.