Autoritetet italiane kanë zbuluar një laborator të sofistikuar për përpunimin e kokainës në Empoli të Firences, ku janë arrestuar një shqiptar dhe tre kolumbianë. Sipas njoftimeve zyrtare të Karabinierëve, banesa, e cila ishte në pronësi të shqiptarit 54-vjeçar, ishte kthyer në një rafineri moderne droge, ku u sekuestruan 34 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 1 milion euro.
Laboratori i fshehtë, i vendosur në pjesën e pasme të shtëpisë, përfshinte pajisje të specializuara për prodhimin dhe paketimin e drogës, përfshirë peshore, presa, furrë, makina paketimi me vakum dhe rezervuarë.
Kolumbianët, të moshave 20-56 vjeç, dyshohet të ishin ekspertët kimistë të përpunimit.
Karabinierët vunë re lëvizje të dyshimta pranë banesës dhe nisën hetime, duke çmontuar më pas laboratorin.
Ata zbuluan, në dhomat pas shtëpisë, një rafineri të vërtetë kokaine, që përmbante disa blloqe droge, me një total prej 34 kilogramësh, si dhe rezervuarë, peshore, presa, një furrë, pompa, makina paketimi me vakum, çanta dhe material prerës – një laborator i vërtetë i përdorur për prodhimin e më shumë drogës.
U gjetën edhe detektorë insektesh, që parandalonin dëmtimin e pajisjeve dhe mallit.
Katër të arrestuarit u dërguan në Burgun e Firences-Sollicciano dhe u lanë në paraburgim në pritje të seancës gjyqësore.
