Stuhia ‘Christine’ prek Portugalinë, pesë viktima nga moti i keq

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.01.2026, 12:26

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi stuhia e fuqishme Christine goditi Portugalinë qendrore dhe veriore, duke shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje toke dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Përballë situatës së rëndë, autoritetet vendase mbyllën shkollat, ndërprenë qarkullimin dhe u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesat e tyre.

Në qytetin bregdetar Figueira da Foz, një rrotë panoramike u rrëzua nga erërat e forta, ndërsa disa automjete u dëmtuan pasi u goditën nga pjesë çative të shkëputura. Leiria ishte ndër zonat më të goditura, ku humbën jetën tre persona: një prej tyre u godit për vdekje nga një llamarinë, një tjetër ndërroi jetë gjatë ndërtimit të një banese, ndërsa një burrë në Vila Franca de Xira u vra pasi një pemë u rrëzua mbi automjetin e tij. Një viktimë e pestë u raportua në zonën e Marinha Grande.

Shirat e rrëmbyeshëm, të shoqëruara me erëra që arritën shpejtësinë deri në 150 km/orë, shkaktuan mbi 3 mijë incidente të lidhura me motin ekstrem në të gjithë vendin. Sipas kompanisë shpërndarëse E-Redes, më shumë se 850 mijë qytetarë mbetën pa energji elektrike. Ndërkohë, Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës (IPMA) paralajmëroi për valë deti që në disa zona bregdetare mund të arrijnë deri në 14 metra.

Situata e rëndë ka paralizuar transportin, me rrugë dhe hekurudha të bllokuara nga mbeturinat dhe përmbytjet, përfshirë edhe autostradën që lidh Lisbonën me veriun e vendit. Policia dhe Shërbimi i Mbrojtjes Civile u bënë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë.

Kryeministri portugez Luís Montenegro shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bëri të ditur se autoritetet po vijojnë vlerësimin e dëmeve. Ndërkohë, kryebashkiaku i Leirias, Gonçalo López, kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke theksuar se shkatërrimet janë të mëdha dhe procesi i rikuperimit pritet të zgjasë me muaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit